Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka konfirmuar se tarifat e energjisë elektrike do të rriten mesatarisht për rreth 16 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, pas mbledhjes së Bordit të ZRrE-së, ku kjo shifër nuk u komunikua qartë, pavarësisht interesimit të madh nga ana e gazetarëve.
Sipas komunikatës zyrtare, rritja bazohet në analizën e të Hyrave të Lejuara Maksimale për operatorët energjetikë, përfshirë KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n. Konkretisht:
KOSTT-i kishte propozuar të hyra në vlerë prej 101.878 milionë eurosh, ndërsa ZRrE i ka aprovuar 88.198 milionë euro.
KEDS-i kërkoi 214.45 milionë euro, por i janë miratuar 180.653 milionë euro.
- Advertisement -
KESCO kërkoi 447.626 milionë euro, ndërsa u aprovuan 435.626 milionë euro.
ZRrE ka sqaruar se rritja e tarifave është rezultat i nevojës për të reflektuar kostot reale të shërbimeve energjetike.
Drejtori menaxhues i ZRrE-së, Petrit Pepaj, gjatë mbledhjes së Bordit theksoi se institucioni është i detyruar të caktojë tarifa që përputhen me koston e ofrimit të shërbimit. Sa i përket konsumatorëve të cenueshëm, ai deklaroi se mbrojtja e tyre është përgjegjësi e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Qytetarët reagojnë me protestë
Në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për shtrenjtimin e energjisë, dhjetëra qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në kuadër të protestës së organizuar nga nisma “Asnjë cent më shumë”.
- Advertisement -
Protestuesit kërkuan që faturat e energjisë të mos rriten dhe që KEDS-i t’i kthehet popullit, duke akuzuar institucionet për mosmbrojtje të interesit të qytetarëve në një kohë me vështirësi të theksuara ekonomike.