Sot në orën 15:00, Bordi i ZRRE-së pritet të vendosë për tarifat e reja të energjisë elektrike. Nga shtrenjtimi i energjisë, pritet të preken më shumë bizneset. Ekspertë të Ekonomisë, sidomos krerë të Odave Ekonomike në Kosovë, konsiderojnë se kjo gjendje do e rëndojë prodhimin por edhe shportën e qytetarit.
15% më shtrenjtë pritet të jetë çmimi i tarifave të energjisë elektrike në vend, është paralajmëruar ditë më parë nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ku është thënë se tarifat e reja, do të aplikohen nga 1 prilli i këtij viti e deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. Kjo ngritje e faturave të energjisë po konsiderohet si negative për ekonominë e Kosovës dhe ngarkesë për shportën e qytetarit. Kështu i tha Radio Kosovës Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Bizneseve.
“Do të ndikojë negativisht në ekonominë e Kosovës dhe do të ketë mundësi që produktet dhe shërbimet në Kosovë të shtrenjtohen edhe më tutje, për shkak se pothuajse në çdo familje, biznes ose shërbim gati 30% merr pjesë energjia elektrike dhe derivatet e ndryshme për të prodhuar ndonjë produkt a për të ofruar ndonjë shërbim. Kjo neve na bënë si vendi më i shtrenjtë për sa i përket energjisë elektrike në Ballkan dhe kjo është ngarkesë e madhe për të gjithë. Askush nuk ka mirëpritur distributorët e energjisë elektrike. Qeveria po rrinë duarkryq pa ndërhyrje duke parë që kjo është një ngarkesë e shportës së konsumatorit”, tha Shahini.
Rritja e energjisë elektrike në këtë kohë është sfidë e re për prodhuesit vendorë. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Ai tha se kjo rritje do të ndikojë në çmime të produkteve.
“Ngritja e energjisë elektrike të bizneset ndikon në koston e prodhimit dhe kjo bie para një sfide të re, të cilën e kanë pasur edhe më herët për t’i bërë ballë konkurrencës së produkteve të importuara në vende të ndryshme. Mirëpo, tani me rritjen e çmimit të energjisë elektrike reflekton në procesin e prodhimit dhe produktet bëhen më shtrenjtë se sa ishin deri më tani. Mirëpo si do që të jetë, nëse rritja është e përgjithshme, paraqitet një sfidë e re për bizneset vendore”, thotë Rafuna.
- Advertisement -
Ndryshe Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në mbledhjen e cila është paraparë të mbahet sot në ora 15:00, pritet të marrë vendim final për tarifat e reja të energjisë elektrike. Bazuar në vendimin që ZRRE-ja e ka marrë një javë më parë, me të cilin ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për KESCO-n në vlerë prej 400 milionë eurosh, tarifat e energjisë elektrike nga muaji prill, pritet të rriten rreth 15 për qind te të gjitha kategoritë e konsumatorëve.