Kosova zhvillon këtë të diel zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas orarit zyrtar, nën masa të rrepta sigurie.
Krahas qendrave të zakonshme, që janë kryesisht shkolla, votuesit në fshatrat e banuara me shqiptarë, do të votojnë edhe në 13 kontejnerë të vendosura në formën e qendrave alternative nëpër rrugë në Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
Janë mbi 18 mijë qytetarë që kanë të drejtë vote në të gjitha qendrat e votimit.
- Advertisement -
Rregullat janë më të rrepta këto zgjedhje sa i përket sigurisë. Të gjitha qendrat e votimit po mbikëqyren nga policia e Kosovës. Në zonën e Mitrovicës policia është vendosur pranë qendrës alternative te “Tre Rrokaqiejt”. Deri më tani situata është e qetë.
Serbët kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votime, madje vete presidenti serb Aleksander Vuçiç u ka bërë thirrje që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.
11:53/ Serbët bojkotojnë zgjedhjet në Çabër, në fshat votojnë vetëm shqiptarët
Serbët duket se e kanë zbatuar me përpikmëri thirrjen për bojkotim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, megjithatë edhe nga pala shqiptare nuk kemi parë ende një dyndje të votuesve në qendrat e votimit. Qendra e votimit në Çabër, fshat me shumicë shqiptare që ka mbi 1000 votues, deri më tani kanë votuar mbi 40 persona.
- Advertisement -
Veriu i Kosovës ka nisur zyrtarisht zgjedhjet e jashtëzakonshme vendore rreth orës 07:00 të mëngjesit, megjithatë në qendrën në Brelje Breg me 4111 votues, dhe në afërsi të kufirit në Bërnjak, zonë me 629 persona me të drejte vote, nuk ka votuar asnjë qytetar.
Në këto dy qendra, të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote janë serbë.
- Advertisement -
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniçi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. “Në këtë mënyrë zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniçi.
10:10/ Zgjedhjet në Veri të Kosovës, Osmani: Shpresoj që shumë shpejt do të formohen institucionet
Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani deklaroi sot se shpreson që shumë shpejt do të formohen institucionet. Pasi votoi në qendrën e votimit në Kodrën e Minatorëve, ai theksoi se qytetarët janë në gjendje jo të mirë dhe që kanë nevojë sa më shpejt të kanë udhëheqje në vendin ku jetojnë.
Edhe në komunën e Zveçanit qendrat e votimit janë hapur në kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar dhe këshilltarë komunalë. Kandidatja e pavarur dhe e vetme serbe, Sllgjana Pantoviç ka votuar para pak çastesh në qendrën e votimit pranë stacionit të policisë në Zveçan.
Policia e Kosovës deklaron se plani operativ është duke u zbatuar konform fazave të parashikuara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët gjatë votimit në katër komunat veriore.