Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy po vazhdon vizitën në disa kryeqytete evropiane, gjatë të cilave ai po u kërkon udhëheqësve të BE-së më shumë armë në luftën kundër agresionit të Rusisë dhe një fillim të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Pasi vizitoi Londrën dhe Parisin të mërkurën, zoti Zelenskiy pritet të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të udhëheqësve të BE-së dhe t’i drejtohet Parlamentit Evropian në Bruksel.
Zelenskiy ka marrë premtime për tanke luftarake perëndimore javët e fundit, zyrtarët ukrainas janë përqendruar tani në përpjekjet për të siguruar furnizim me raketa dhe avionë luftarakë me rreze më të gjatë veprimi.
Megjithatë, zoti Zelenskiy siguroi të mërkurën një premtim nga Britania për të trajnuar pilotët ukrainas për të përdorur avionë luftarakë të standardeve të NATO-s. Londra tha se nuk kishte vendosur ende nëse do të dërgonte avionë të tillë, por kryeministri Rishi Sunak tha se “asgjë nuk përjashtohet”.