Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka shprehur shqetesimin e Brukselit për, siç u shpreh ai, “implikimet në situatën e sigurisë” të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës së Veriut për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse ata nuk e siugurojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër.
“Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka cilësuar zëdhënësi Stano.
Ai ripërsëriti thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të dialogut. Stano shtoi se kjo përsëri nuk ka ndodhur me vendimet e fundit.
Çështja e strukturave serbe sipas tij duhet të adresohet në dialogun e Brukselit dhe të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
- Advertisement -
Stano përsëriti thirrjen e Brukselit që të organizohen sa më shpejtë zgjedhet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat e veriut, me pjesëmarrje pa parakushte të serbëve të vendit, sepse sipas tij, zgjedhjet e prillit, ndonëse legale, nuk ofruan një zgjidhje afatgjatë politike.