Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e cilësoi sot marrëveshjen e arritur në Ohër, në 18 mars, mes Kosovës e Serbisë, një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.
Në fjalën e saj në Kuvend, Xhaçka tha se, “përgëzoj Kosovën, qeverinë e saj, për seriozitetin e treguar, por edhe për guximin e treguar, pasi natyrisht, arritja e një marrëveshje të tillë nuk është e lehtë. Dua po ashtu të falënderoj Bashkimin Europian, e posaçërisht Përfaqësuesin e Lartë, Borrell dhe Përfaqësuesin e Posaçëm, Miroslav Lajcak, për të gjithë angazhimin e pse jo, durimin e këmbënguljen, me të cilën punuan për arritjen e marrëveshjes. E pa dyshim, një mirënjohje e posaçme i shkon edhe Shteteve të Bashkuara dhe Zëvendësndihmëssekretarit, Escobar që dhanë pa dyshim një kontribut të pazëvendësueshëm në këtë proces”.
“Marrëveshja e arritur në Ohër është një lajm i mirë. Puna konkrete për zbatimin pritet të nisë pas afërsisht 1 muaji ndërkohë që shpresa është që gjithçka të jetë dakordësuar deri në fund të vitit. Sigurisht, që finalizimi do të kërkojë shumë punë. Djalli fshihet gjithnjë në detaje dhe mjafton të marrësh në konsideratë faktin që kjo marrëveshje u miratua përmes një procesi krejt sui generis, pa u firmosur, për të kuptuar se finalizimi nuk do të jetë aspak i lehtë. Duke thënë këtë nuk dua të jap shkas për pesimizëm. Unë personalisht jam shumë optimiste që me angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës, atë të Serbisë, mbështetjen dhe monitorimin e BE dhe SHBA veçanërisht gjatë procesit delikat të implementimit, ekzistojnë të gjithë kushtet që kjo marrëveshje të çojë me sukses drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, nënvizoi Xhaçka.
Ajo që dua të them, vijoi Xhaçka, është që puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet, por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme.
- Advertisement -
“Është koha për hapa të vendosur, jo për ambiguitet. Marrëveshja dhe aneksi duhen zbatuar në tërësinë e tyre, siç parashikon pika 2 e aneksit, jo duke zgjedhur ca dispozita dhe injoruar disa të tjera: nuk duhet të pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB; duhet të njihen dokumentet dhe simbolet kombëtare të Kosovës. Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mbështetje të dialogut. Shqipëria ka qenë po ashtu që në krye të herës në mbështetje të të ashtuquajturit plan franko-gjerman, i cili shërben si një pikënisje e mirë për dialogun. E pa dyshim, ashtu siç kemi bërë në çdo moment, edhe në luftë, edhe në paqe, ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën me të gjithë mundësitë që kemi”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka u shpreh se, “përpjekjet tona sot do të vazhdojnë të fokusohen tek procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tek procesi i njohjeve. Me arritjen e kësaj marrëveshjeje unë pres që këto procese të bëhen deri diku më të lehta dhe rezistenca të zbehet, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm për pengesat që mund të krijojnë gjatë këtij procesi vende si Rusia apo ndonjë vend tjetër, që nuk e mbështesin dialogun dhe arritjen e një normalizimi të plotë mes Kosovës e Serbisë”.
“Por, ajo që mund të them është që falë performancës vërtet të suksesshme që ka pasur diplomacia shqiptare, veçanërisht në vitet e fundit, duke filluar me Presidencën e OSBE, me performancën vërtetë dinjitoze në Këshillin e Sigurimit, me progresin në procesin e integrimit europian, me rritjen e angazhimit tonë proaktiv në favor të paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në rajon, por edhe me fuqizimin e intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me një sërë vendesh, Shqipëria ka sot mundësi më të mëdha e më konkrete për të mbështetur Kosovën, çka padyshim që do ta bëjmë në një koordinim të ngushte me Kosovën”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka vuri në dukje se, mbështetja e Kosovës është sot, siç ka qenë jetë e mot, një prioritet kombëtar.
“Por sot më shumë se kurrë, në kontekstin e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është një prioritet për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit edhe më gjerë, në Europë. Rajoni ynë, e sidomos situata si ajo që ekzistonte mes Kosovës e Serbisë apo ajo në Bosnjë-Hercegovinë janë në shënjestër të përpjekjeve ruse për të shkaktuar tensione e konflikt në Ballkanin Perëndimor. Përpjekje, të cilat duket tashmë qartë që kanë ndodhur edhe në Shqipëri përmes injektimit të fondeve ruse në politikë. Arritja e kësaj marrëveshje, normalizimi eventual i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, do të shuajë një nga vatrat e mundshme të konfliktit në rajon. E padyshim, duke hapur rrugën për avancimin e të dy vendeve në procesin e integrimit evropian, do të ndikojë ndjeshëm në konsolidimin e paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor”, tha Xhaçka.