Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi në takimin në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, se do t’i propozohet qeverisë serbe që të nxjerrë konkluzione për shkeljen e marrëveshjes për targat.
Vuçiç u shpreh se nëse Prishtina vazhdon të pengojë lirinë e lëvizjes së serbëve në Kosovë, Beogradi do të marrë masa arbitrare ndaj atyre që i kanë automjetet me targa RKS.
“Të kërkohet një përgjigje urgjente nga BE-ja dhe organet dhe institucionet e tjera ndërkombëtare në mënyrë që institucionet në Prishtinë menjëherë t’i japin fund shkeljes së marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lirinë e plotë të lëvizjes për serbët, automjetet e të cilëve përdorin targa të ligjshme dhe legjitime, targat e Republikës së Serbisë.
Dhe asgjë nuk po kërkojmë më shumë se Prishtina të veprojë sipas marrëveshjeve nga dialogu, por edhe të gjitha dokumenteve tjera relevante juridike ndërkombëtare”, theksoi ai.
- Advertisement -
Sipas tij, ekipi negociator serb është i autorizuar që në përputhje me të drejtat e garantuara palës serbe me marrëveshjet e mëparshme për tabelat, të bëjë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për atë çështje.
“Në rast se ata e refuzojnë këtë zgjidhje kompromisi dhe vazhdojnë të pengojnë lirinë e lëvizjes së serbëve dhe qytetarëve të tjerë që përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë, pala serbe do të hakmerret me masa të konsiderueshme dhe adekuate”, nënvizoi Vuçiç.