Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjatur masën e paraburgimit edhe dy muaj për Dibran Hoxhajn i njohur si “Kobra”. Hoxhaj akuzohet si autori i dyshuar i vrasjes së të riut nga Kukësi Visar Cengut, në Prizren. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e gjykatëses Violeta Namani, ku konfirmohet se masa e paraburgimit të Hoxhajt u shty deri më 3 nëntor 2023.
Ndërkohë, lidhur me të dyshuarin Roland Susuri, Gjykata Supreme më 16 gusht 2023, ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke ia zëvendësuar kështu masën e paraburgimit me atë të paraqitjes në polici. Kurse, për të dyshuarit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli si masë të fundit Gjykata ju kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, por ndaj të njëjtëve, sipas Themelores, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të kësaj mase.
Gjithashtu, Gjykata edhe ndaj të dyshuarit Burim Mazreku si vendim të fundit kishte caktuar masën e paraqitjes në stacion policor dhe po ashtu për të njëjtin, nga Gjykata u bë e ditur se Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për vazhdim ose ndryshim të masës. Kurse, ndaj të dyshuarit Enver Amrllahu, me vendimin e 19 prillit 2023 i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit, si dhe të dyshuarit Kujtim Gashi i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të paraqitjes në polici. Për Amrllahun dhe Gashin, po ashtu u tha se nuk është paraqitur kërkesë për ndonjë masë.
Dibran Hoxhaj dyshohet se është autori i vrasjes së 31 vjeçarit Visar Cengu dhe plagosjes së shokut të tij Rufgen Shehu brenda lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Pas përplasjes fizike, konflikti është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës. Ka qenë Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si ‘Kobra’ ai i cili ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, duke plagosur njërin prej tyre dhe duke lënë të vdekur 31 vjeçarin. Dibran Hoxhaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike jashtë lokalit të tij në Prizren.