Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance gjatë qëndrimit të saj në Paris. Takimi u njoftua nga Presidenca e Kosovës, e cila theksoi se Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe ka konfirmuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.
Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet bilaterale me SHBA-në janë të rëndësishme për avancimin e politikave të Kosovës dhe për stabilitetin e rajonit. Ajo ka shprehur angazhimin për të intensifikuar bashkëpunimin në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe teknologjisë, duke u fokusuar veçanërisht në mundësitë që ofron Inteligjenca Artificiale.
Osmani udhëtoi në Paris pas zhvillimeve të fundit në vend, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, ku ishin të pranishëm liderë botërorë, përfshirë presidentin Macron, zëvendëspresidentin Vance, kryeministrin indian Narendra Modi dhe figura të tjera kyçe nga komuniteti ndërkombëtar. Takimi i presidentes Osmani me Vance theksoi angazhimin e Kosovës për të qëndruar në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe për të forcuar rolin e saj në skenën ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.