Një aksident trafiku ka ndodhur pasditen e së martës në rrugën “Kral Petri”, tek ura e hekurit në Zveçan, ku një veturë është rrokullisur. Ngjarja u raportua më 29 prill 2025, rreth orës 17:45, sipas njoftimit nga Policia e Kosovës.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer hetimet preliminare. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e drejtuesit dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Sipas Policisë, shoferi i mjetit, një 22-vjeçar me inicialet Z.V., ka humbur kontrollin mbi veturën me targa të huaja, e cila më pas është rrokullisur. Fatmirësisht, nga ky aksident nuk ka pasur persona të lënduar.
Për shkak të aksidentit, ura ka qenë e bllokuar për një periudhë të shkurtër, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Pas intervenimit të autoriteteve, rruga është liruar dhe trafiku është rikthyer në normalitet.
- Advertisement -
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë – Veri ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion, duke rikujtuar se respektimi i kufijve të shpejtësisë dhe rregullave rrugore është jetik për sigurinë e të gjithëve.
“Çdo pakujdesi në ngasje mund të rrezikojë jetën tuaj dhe të të tjerëve. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët,” thuhet në njoftimin e Policisë.