Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të protestojnë të shtunën në Prishtinë, kundër vendimit të ligjvënësve të Kuvendit për miratimin e Projektligjit për pagën minimale, ku nuk janë përfshirë veteranët. Ushtruesi i detyrës të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, tha se ata nuk janë organizator, por e mbështesin protestën.
Por, guerilët e pensionuar të UÇK-së po ashtu kanë vendosur që të pengojë funksionimin e punës në Kuvendit të Kosovës, sa herë që mbahen seancat.
“Kryesia i mori disa vendime, së pari për të kundërshtuar këto gjëra që i ka bërë qeveria, jo vetëm ndaj neve, por që po mundohet që të shkelë të gjithë. Ne do të organizohemi, mobilizohemi që ta kundërshtojmë. Kryesia mori vendim që meqenëse është thirrur, siç ne jemi të informuar nga shoqëria civile, një protestë nesër (e shtunë) në orën 18:00, si organizata të dala nga lufta ne e mbështesim si protestë dhe kërkojmë që të marrin pjesë njerëzit sa më masovikisht, derisa ne të bëhemi gati sepse jemi duke përgatitur edhe ne protestat tona”, tha ai.
Ai theksoi se nga viti i kaluar kanë bërë të ditur qëndrimet e organizatës që do të pengojnë punën e institucioneve, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
- Advertisement -
“Do të marrim veprime nëse Qeveria apo institucionet vendit, Kuvendi e miraton ligjin për pagën minimale duke përjashtuar veteranët. Fjalën e kemi pasur që nëse futet në lexim të dytë, ne do të qëndrojmë apo protestojmë para Kuvendit të Kosovës… Ne nuk e kemi menduar që këta me seanca të jashtëzakonshme ta shfrytëzojnë rastin kur të largohet opozita dhe i kanë 61 numra”, tha Klinaku.
Madje Klinaku tha se miratimi i këtij projektligji është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Ndryshe, në njoftimin e publikuar nga këshilli organizativ i protestës, thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiqin” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”, mes tjerash.
“Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojiçiqin kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, thuhet mes tjerash në thirrjen për protestë.