E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi e konsideron dëshpëruese mosndëshkimin e kriminelëve serbë për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit. Ajo deklaron se për krimet e kryera në Kosovë nga serbët, më shumë shqiptarët po ballafaqohen me burgim. Krasniqi për KosovaPress thotë se gratë e burrat e mbijetuar nga ky krim nuk kanë guxim as të aplikojnë për njohjen e statusit, nga frika se do të identifikohen.
Gruaja e parë e cila foli publikisht për dhunimin seksual thotë se është e bindur se asnjëherë nuk do të gëzojë drejtësinë. Megjithatë, shprehet se ka forcën që zërin e saj ta ngre për të mbijetuarat e tjera.
“Lënda ime është tash lëndë e mbyllur, gjyqi suprem e ka marrë vendimin, pala-viktima nuk ka të drejtë të ankohet. Gjyqi suprem e ka marrë vendimin, ata kanë dal të lirë. Veç nëse shkojnë zinxhir të komandantëve, por sa unë jam në dijeni rasti është i mbyllur dhe nuk do të marrë unë drejtësi, por do të luftoj për të tjerat që të marrin drejtësinë e tyre”, deklaron Krasniqi.
24 vjet pas përfundimit të luftës, Vasfija përmend faktin se është vetëm një i dënuar për dhunim seksual në Kosovë. Ajo thekson se kjo është dëshpëruese për viktimat, të cilat një ditë presin drejtësi për rastin e tyre.
- Advertisement -
“Është shumë dëshpëruese se ne vetëm një e kemi në burgim dhe prej 20 mijë viktimave vetëm një e kemi në burgim. Të shikosh sa shqiptarët janë dënuar nëpër burgje prej lufte, ta bësh krahasimin me serbët sa janë nëpër burgje është numër i tmerrshëm”, shton ajo.
Data kur ajo përjetoi tmerrin, 14 prill, tashmë zyrtarisht njihet si Dita për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.
“Ne e kemi prit një ditë të tillë që vuajtjet që kemi tejkaluar ne, sidomos unë me datën 14 prill, ne e kemi një ditë ta shndërrojmë në një gëzim, në një festë, me një memorial. Është një ditë shumë e veçantë për neve”, thotë Krasniqi.
Vasfija, e cila në kohën kur u dhunua në vitin 1999 ishte 16-vjeçare, tregon se ka edhe shumë vajza të tjera të cilat u keqtrajtuan shumë më të reja se ajo.
“Ka rrëfime të ndryshme, unë kam shumë kontakte me femra të dhunuar, me meshkuj të dhunuar, rrëfimet janë të ndryshme. Ka prej tyre që kanë qenë shumë më të vegjël se unë. Unë kam qenë 16-vjeçare ka që kanë qenë nëntëvjeçare, shtatëvjeçare, por nuk i ka mbijetuar dhunës dhe ajo ka vdekur. Rrëfimet janë të tmerrshme”, shton ajo.
- Advertisement -
Teksa flet për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, Krasniqi thotë se shumë prej të mbijetuarve janë ballafaquar me refuzim nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.
“Statusi iu është refuzuar 233 personave deri më tash. Unë do të bëj çmos që të rishikohen ato prapë, që t’ju mundësohet atyre. Sepse nuk është një numër i madh, ne po themi që i kemi 20 mijë të lajmëruara, nuk janë as dy mijë ( që kanë aplikuar). Nuk është numër i madh për t’i refuzuar me atë numër aq të madh prej 233 personave”, thekson Krasniqi.
Krasniqi e cila ka rrëfyer historinë e saj edhe para Kongresit amerikan, deklaron se gratë ende përballen me stigmën se do të identifikohen.
- Advertisement -
“Ka vështirësi në aplikim, në procedura ka vështirësi. Edhe unë kam viktima që kanë folur kanë thënë që ne nuk guxojmë të lajmërohemi për shkak të burrit, për shkak të babës ose mendojnë që u del emri diku dhe për shkak të identifikimit nuk duan të lajmërohen askund”, tregon ajo.
Vasfije Krasniqi Goodman në tetor të vitit 2018, rrëfeu publikisht mbi dhunën seksuale të ushtruar mbi të nga paraushtarakët serbë.