Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se qëllimi kryesor i negociatave me Iranin duhet të jetë zhbërja e plotë e programit bërthamor të Teheranit, duke theksuar se nuk do të pranonte asnjë version tjetër përveç shkatërrimit të plotë të këtij kapaciteti.
Në një intervistë për NBC më 4 maj, Trump për herë të parë artikuloi qartë qëndrimin e tij ndaj programit bërthamor iranian, për të cilin Irani këmbëngul se është paqësor. “Shpërbërja e plotë është e vetmja gjë që do të pranoja,” u shpreh ai.
Megjithatë, Trump u tregua i hapur ndaj mundësisë që Irani të operojë një program civil për energji bërthamore, duke iu referuar propozimit të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Ky i fundit sugjeroi se një version i tillë do të ishte i mundur nëse Irani përdor reaktorë të ndërtuar nga jashtë dhe importon uranium të pasuruar, model që përdoret nga shumë vende.
“Është energji civile, por shpesh çon në luftëra. Ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore. Kaq e thjeshtë është,” tha Trump, duke shprehur dyshime mbi nevojën e Iranit për energji bërthamore, duke pasur parasysh rezervat e tij të mëdha të naftës.
- Advertisement -
Analistët e politikës së jashtme kanë vlerësuar se këto deklarata hedhin poshtë mundësinë për një version të ri të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij. Jason Brodsky nga organizata United Against Nuclear Iran tha se “kjo intervistë e përjashton çdo iluzion për një rikthim në marrëveshjen e vjetër.”
Nga ana tjetër, disa ekspertë sugjerojnë se administrata Trump ende nuk ka një qëndrim të qartë dhe përfundimtar. Analisti iranian, Rahman Qahremanpour, tha se “mund të duket se ekipi i Trumpit ende nuk e di çfarë kërkon saktësisht, por vetë ai e dëshiron një marrëveshje tjetër.”
Në reagim ndaj deklaratave të Trumpit, Ministria e Jashtme e Iranit i cilësoi komentet e tij si të pabazuara. Zëdhënësi Esmail Baqaei deklaroi më 5 maj se Irani ka të drejtë për energji paqësore bërthamore, pavarësisht pasurive të tij natyrore.
“Programi ynë bërthamor ka nisur që në vitet ’70, në kohën kur kishim më shumë naftë dhe më pak konsum. Prandaj, nuk qëndron argumenti se nuk kemi nevojë për energji bërthamore,” tha Baqaei.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh bërthamore që nga muaji i kaluar. Një rund i katërt, i planifikuar për më 2 maj në Romë me ndërmjetësim të Omanit, u shty për arsye logjistike./REL/