Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se Syla është sulmuar nga tre persona, ende të panjohur për policinë.
Të njëjtit pas sulmit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.
“Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore”, thuhet në njoftimin e policisë.
- Advertisement -
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit të sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Vetë Syla është deklaruar pas sulmit, me ç’rast ka njoftuar se kishte marrë përkujdesjen e mjekëve.
Gazetari Valon Syla ishte sulmuar edhe njëherë tjetër, pas etiketimit që ua bëri mërgimtarëve.