Janë bërë publike emrat e 10 personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Puzzle”, një aksion i shtrirë në disa qytete të Shqipërisë dhe i fokusuar në goditjen e trafikut të armëve dhe lëndëve narkotike.
Sipas burimeve nga BalkanWeb, në prangat e policisë ditën e sotme kanë rënë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu.
Ndërkohë, më 1 maj janë ndaluar edhe dy shtetas të tjerë, Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi, të dy me origjinë nga Kosova.
Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim dy persona të tjerë të identifikuar me inicialet R.K., 41 vjeç dhe A.N., 24 vjeç.
- Advertisement -
Hetimet e deritanishme tregojnë se ky grup kriminal siguronte armë zjarri, kryesisht nga Kosova, por edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat më pas transportoheshin në Tiranë me qëllim shitjen në tregun e zi.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, Kevin Farruku, u gjetën dhe sekuestruan 2077 fara kanabisi, duke ngritur dyshime për përfshirjen e grupit edhe në veprimtari të tjera kriminale, si kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike.
Operacioni rezultoi me sekuestrimin e 14 armëve të zjarrit (12 pistoleta, një prej tyre me shurdhues, dhe 2 automatikë), 2077 farave të kanabisit, municion luftarak, krehra, 3 automjete dhe 8 aparate celularë.
Policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.