Ish-presidenti Hashim Thaçi sapo ka përfunduar fjalën e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës, deklaratën e dhënë pa betim gjatë së cilës ka mohuar edhe njëherë të gjithë akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ish kreu politik i UÇK-së ka treguar motivin që e shtyri të kthehet nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë kundër regjimit të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb në vitin 1998, e që ishte masakra ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Gjithë konflikti, deri te çlirimi i Kosovës nuk do të ngjante pa ndihmën e aleatëve ndërkombëtar, për çka është shprehur se i vjen keq që në procesin gjyqësor ndaj tij nuk do të mund të dëshmojnë ish sekretarja e shtetit Madeleine Albright, ish ambasadori Richard Holbrooke e poashtu edhe figurat vendore, përfshirë ish presidentin Ibrahim Rugova, Fehmi Agani dhe Adem Demaçi.
Hashim Thaçi dhe shteti i Kosovës është shfajësuar njëherë tashmë, sipas Thaçit, për vetë arsyen që e krijoi këtë gjykatë, raporti i senatorit Dick Marty, nga i cili nuk ka dalë asnjë fakt dhe asnjë e vërtetë, dhe tash pret të shfajësohet edhe nga të gjitha akuzat tjera përballë ZPS-së.