Naim Tërnava, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka uruar sot festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.
Në mesazhin tradicional të urimit për këtë festë, ai theksoi se Bajrami sjell me vete gëzim, paqe, harmoni dhe lumturi për të gjithë njerëzit dhe familjet e tyre.
“Ju drejtohem me përgëzime dhe urime të përzemërta, me besim dhe shpresë që këtë Bajram ta ndjejmë dhe ta përjetojmë thellësisht në shpirt, me gëzim e përkushtim në ambientet tona familjare e shoqërore.”
Ai shtoi se me ardhjen e natës së Bajramit, besimtarët hynë në atmosferën e festës, duke qenë të mbushur me gëzim për përmbushjen e një prej urdhrave hyjnorë – agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit.
“Fitër Bajrami vjen pas përfundimit të Ramazanit, me zemrat e njerëzve të mbushura me paqe dhe qetësi. Për një muaj me radhë, agjërimi ka ushqyer shpirtin tonë me ndjenja të thella paqeje, qetësie dhe krenarie. Kjo festë është një mundësi për të shprehur mirënjohjen për pastrimin shpirtëror që kemi përjetuar përmes sakrificës dhe përkushtimit.”
- Advertisement -
Sipas Tërnavës, Fitër Bajrami është një festë që bashkon myslimanët në mbarë botën, duke simbolizuar fitoren shpirtërore, gëzimin, faljen, mirësinë dhe unitetin familjar e shoqëror.