Për të 20-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke vazhduar krizën institucionale që ka nisur që nga 15 prilli. As në seancën e sotme, deputetët nuk arritën të procedojnë më tej me formimin e institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdoi të insistojë në procesin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por propozimi për formimin e komisionit për votim sërish nuk kaloi, pasi partitë e tjera nuk propozuan emra për përbërjen e tij.
Për pasojë, kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avni Dehari, vendosi të ndërpresë seancën, duke paralajmëruar mbajtjen e një tjetër përpjekjeje pas 48 orësh.
Njëjtë si në seancën e mbajtur të mërkurën, edhe sot mungoi pajtueshmëria mes partive politike, duke bllokuar sërish krijimin e komisionit që do të mundësonte procedimin drejt zgjedhjes së kryekuvendarit.
- Advertisement -
Kuvendi vazhdon të mbetet i paralizuar institucionalisht, në një kohë kur qeveria aktuale po ushtron funksionet pa mbikëqyrje parlamentare, ndërsa vendi përballet me sfida të mëdha të brendshme dhe ndërkombëtare.