Partia Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili po mbahet në Qendrën e Paraburgimit, si i dyshuar për keqpërdorim të pozitës së tij.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Krasniqi nga Qendra e Paraburgimit është duke e drejtuar KEK-un.
Ai e ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij duhet ta shkarkojë drejtorin e KEK-ut dhe jo ta mbrojë atë.
“E konsiderojmë të papranueshëm dhe të ashpër, reagimin e kryeministrit në lidhje me arrestimin e drejtorit të KEK-ut. Ai e mban ende pozitën e drejtorit të KEK-ut, tashmë është në paraburgim, ai nga paraburgimi e drejton korporatën më të rëndësishme energjetike në vend, është e dëmshme. Ajo që duhej të ndodhte, është që ky person të shkarkohet, bordi të shkarkohet, të merren masa edhe ndaj akterëve tjerë, për keqpërdorimet që kanë ndodhur”, ka thënë ai.
- Advertisement -
Tahiri ka thënë se PDK-ja, është duke përgatitur kallëzime penale në Prokurorinë Speciale, në lidhje me keqpërdorimet në sektorin e energjisë.
“Në komisionet hetimore, kanë dalë abuzime që jemi duke i procedu si kallëzime penale në prokurorinë speciale. Për ne është e papranueshme që drejtori, vazhdon të jetë në paraburgim dhe në krye te KEK-ut”, ka thënë ai.
Tutje Tahiri, ka bërë të ditur se do ta ftojnë kryeministrin Kurti, dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për t’i informuar opozitën dhe qytetarët në lidhje me keqpërdorimet në KEK.