Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sot bëhen një javë që nga vrasja e policit Afrim Bunjaku.
Ai ka thënë se sulmi terrorist i Serbisë kishte qëllim aneksimin e veriut të Kosovës.
Sipas tij, përmes pamjeve të siguruara nga dronët e grupit terrorist të cilët u konfiskuan, vërtetohet se përgatitjet për sulm u bënë në Serbi.
“Sot do të shohim në detaje me pamje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat e trajnimit të Serbisë. Në këtë trajnim janë angazhuar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë, Milan Mojsiloviq. Vuçiqi është munduar ta fshehë faktin se Serbia është angazhuar në organizimin e këtij sulmi”, ka thënë ai.
- Advertisement -
Ai ka thënë se pamjet janë siguruar nga dronët e grupit terrorist.
Sipas tij, trajnimet janë bërë në Kopoanik, në një pronë të Milan Radojçiqit.
E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se nga hetimet e bëra kanë ardhur në përfundim se grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, ka stërvitur për kohë të gjatë në territorin e Serbisë.
Hoxha ka thënë se grupi kishte ushtruar në hapësirën e Hotel Grey në Kopaonik, që është pronë e Milan Radoiçiqit, ndërsa po ashtu është stërvitur edhe në poligonin më të madh ushtarak në Serbi në “Pasuljanske Livade”. Ai ka thënë se Serbia u ka vënë në dispozicion grupit logjistikën e infrasatrukturën për stërvitje. Ai ka thënë se pamjet e reja janë siguruar nga dronët e grupit që janë konfiskuar,
“Bazuar në të dhënat e siguruara, rezulton se qendra e grupit terrorist ishte Kopaoniku, përkatësisht hapësira që është pronë e Milan Radoiçiqit. Ushtrimet ushtarake janë mbajtur në një prej poligonet më të mëdha ushtarake të Serbisë, së paku 4 ditë para sulmit në Banjskë”, ka thënë Hoxha në konferencë për media.
- Advertisement -
Hoxha: Sulmi fillestar në Banjskë u bë me eksploziv, në të u vra polici Bunjaku
Drejtori i Prëgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se sulmi fillestar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ka ndodhur me eksploziv.
Ai ka thënë se patrulla e policisë kishte shkuar për të shikuar se çfarë po ndodh me kamionët dhe ka ndodhur shpërthimi.
- Advertisement -
“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e sulmit ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Nuk u sulmua Policia Speciale, por patrulla policore e rendit publik. Jemi ballafaquar me kritika se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi. Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje. Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në moment kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, ka thënë Hoxha.
Ai ka treguar se sulmi i parë ishte bërë me një minë me teledirigjim.
Hoxha, ka shfaqur në konferencë për media foto të armëve të ndryshme që u konfiskuan në Banjskë të Zveçanit.
“Këto janë pajisje ushtarake të gjetura, është minë e përdorur me teledirigjim në sulmin ndaj kolegëve tanë, me çrast humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku nga sulmi i parë me detonim nga kjo lloj mine”, tha Hoxha.
Ai ka thënë se shumë nga armët e gjetura janë prodhim i ri i Serbisë dhe se nuk mund të gjenden në treg të zi.