Sot skadon afati i vendimit për ta shtyrë edhe për dy javë lirimin e objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut, nga institucionet që funksionojnë nën sistemin e Qeverisë së Serbisë.
Objekti që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, aktualisht shfrytëzohet nga 4 institucione që funksionojnë si struktura paralele.
Ditë më parë në një intervistë për RTK-në, Erden Atiq ka theksuar se lirimi i këtij objekti do të ndodhë përfundimisht më 8 Shtator, pa shtyrje të mëtutjeshme.
Për kryetaren e Iniciativës së Re Sociale, Jovana Radosavljeviq, dita e premte mund të sjellë përsëritje të skenave që kemi parë më 26 maj, nëse nuk arrihet një kompromis.
- Advertisement -
“Ajo që është më realiste dhe që mund të presim në këtë moment, është skenari i mundshëm i 26 majit, kur kryetarët e komunave dhe pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës hynë me dhunë në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Deri në ndonjë zgjidhje kompromisi apo shtyrje të këtij vendimi nga institucionet e Kosovës, potencialisht mund të presim edhe incidente, por duke u mësuar nga përvojat e muajve të kaluar, shpresoj se në këtë situatë KFOR-i do të jetë në gatishmëri dhe do të reagojë më shpejt në krahasim me 26 maj”, ka thënë Jovana Radosavljeviq- Iniciativa e Re Sociale
Veton Elshani, Zv. Komandant i Policisë për Veri, i ka thënë RTK-së se nuk kanë kërkesë zyrtare për të asistuar në lirimin e objektit.
Për vendimin e Atiq pati reaguar edhe Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se roli i kryetarëve aktualë në komunat veriore të vendit është administrativ dhe vendimet e tilla ndikojnë në rritjen e tensioneve në veri të vendit.
Ndërkohë, dje gjatë gjithë ditës, kryetari i komunës, Erden Atiq, nuk u është përgjigjur pyetjeve të redaksisë, nëse qëndron prapa këtij vendimi, ashtu siç ka deklaruar ditë më parë, kur tha se vendimi nuk do të shtyhet edhe për një datë tjetër.