Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për të dhjetën herë radhazi në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re, ndërsa bllokada politike vazhdon të mbetet pengesa kryesore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ky pozicion kyç ka nxitur përplasje të ashpra mes partive politike, me Lëvizjen Vetëvendosje që vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut – emër që deri më tani ka dështuar gjashtë herë në votim. Tentativa e shtatë, që solli në tavolinë propozimin për votim të fshehtë nga kryesuesi Avni Dehari, u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare, duke shtuar tensionet dhe akuzat mes palëve.
Përkundër kundërshtimeve, Vetëvendosje duket e vendosur të rikthejë propozimin për votim të fshehtë. Deputeti Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjete sociale mbrëmjen e djeshme, ka sinjalizuar se kjo mund të jetë strategjia e partisë edhe në seancën e sotme.
“Marrë parasysh situatën aktuale, mendoj se votimi i fshehtë, i përmendur edhe nga Gjykata Kushtetuese, është rruga më e mirë për të dalë nga kjo bllokadë. Kjo do t’u jepte deputetëve mundësinë të shprehin vullnetin e qytetarëve dhe të ecim drejt zgjedhjes së qeverisë së re,” ka shkruar Murati.
- Advertisement -
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo formë do të pranohet sot nga partitë tjera, të cilat e kanë quajtur kandidaturën e Haxhiut si “përçarëse” dhe të papranueshme për ndërtimin e konsensusit të nevojshëm parlamentar.
Seanca e sotme pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa sytë e opinionit publik janë sërish të kthyer nga Kuvendi – me shpresën se kjo tentativë nuk do të jetë një tjetër dështim në serinë e gjatë të përpjekjeve të dështuara për konstituimin e tij.