E shtuna e 15 korrikut ka qenë afati i fundit që buron nga aktgjykimi i Kushtetueses për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale, që u mundëson pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet e 90-ta, të përfitojnë nga pensioni kontribut-pagues. Qeveria e vendit ditë më parë e miratoi Projektligjin për skemat pensionale dhe tashmë ai u është shpërndarë deputetëve për shqyrtim.
Kjo vonesë po cilësohet neglizhencë e Qeverisë për ta plotësuar një të drejtë elementare të rreth 70 mijë pensionistëve që janë diskriminuar ndër vite.
“Në rast të mos ndryshimeve ligjore nga ana e Kuvendit, deri me 15 korrik pensionistet mund ta plotësojnë të drejtën e tyre përmes procedurave gjyqësore, që do të jetë barrë për ta dhe për shtetin”, deklaroi Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Jakaj ka vërejtje edhe për mënyrën e hartimit të këtij projektligji.
- Advertisement -
“Projektligji është miratuar pa dialog të plotë social me sindikatat, shoqërinë civile mediet e palët e interesuara…”, tha Jakaj.
Në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës janë skeptikë për miratimin e shpejtë të projektligjit në Kuvend.
“Nuk ka unitet në Kuvend, është një disharmoni brenda deputeteve të Kosovës”, deklaroi Sherif Kastrati- Sekretar në LPK.
Ata habiten që nuk janë konsultuar për hartimin e këtij projektligji dhe ndihen të lënë anash. “Na duhet të bëjmë ndonjë strategji aq sa mundemi, nuk kemi fuqi, jemi njerëz të lanë anash, na nuk mundemi me i kushtëzuar siç ka bërë arsimi e shëndetësia”, tha Kastrati.
Nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, kanë bërë të ditur se Projektligji u është shpërndarë deputetëve, ndërkohë Komisioni për Buxhet nuk e di se kur do të procedohet për votim.
- Advertisement -
Rrjedhimisht, njohësit ligjorë shprehen qartazi se pas 15 korrikut përballemi me shkelje ose mosekzekutim të një aktvendimi të Gjykatës Kushtetuese, si organi më i lartë i shtetit. Nga këto ndryshime ligjore do të përfitojnë afërsisht 70,000 pensionistë, sipas një vlerësimi që ka bërë qeveria e vendit.