Mëngjesi i së martës duket i qetë në tri komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Ndonëse edhe për sot janë paralajmëruar protesta në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, tash për tash situata duket e qetë, me trupat e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës që janë të vendosura para objekteve të këtyre tri komunave.
Gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica raporton nga vendi i ngjarjes se tashmë një numër i madh i qytetarëve serbë janë mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit, por se situata është e qetë. Ajo ka bërë të ditur se në mesin e të pranishmëve janë edhe drejtuesit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Ndërkaq, gazetarja Valjeta Shala, e cila ndodhet në Zubin Potok, njofton se edhe atje është mbledhur një numër i madh i protestuesve por situata duket e qetë.
Serbët kanë paralajmëruar edhe sot protesta në veri
Një ditë pas vandalizmit të shfaqur ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, serbë të nxitur nga strukturat kriminale kanë paralajmëruar edhe për sot grumbullime pranë tri objekteve të komunave në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Nga përleshja e djeshme me protestuesit e dhunshëm serbë, të cilët hodhën shok bomba dhe molotov, së paku 25 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar, disa prej tyre në gjendje të rëndë, derisa të lënduar pati edhe nga radhët e protestuesve.
- Advertisement -
Ndërkohë, sot që nga orët e hershme ka filluar pozicionimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në afërsi të objektit të komunës në Zubin Potok, teksa situata aktualisht është e qetë.