Familjet shqiptare mbajnë rekordin e shpenzimeve për bukë dhe drithëra në Evropë edhe për vitin 2022, sipas të dhënave të përditësuara të Eurostat që janë publikuar.
Në një tregues të varfërisë, shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra për vitin 2022 ishin sa 4.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (të ardhurat e ekonomisë në një vit), nga 1.1% që është mesatarja e Bashkimit Evropian.
Duke qenë se të ardhurat janë të ulëta, një familje shpenzon më parë për gjërat e domosdoshme, siç është ushqimi apo dhe buka dhe më pas mund të mendojë për shpenzime të tjera. Pas Shqipërisë, renditet Mali i ZI, me 3.4% të PBB-së, Bosnja, me 3.2%, Rumania me 2.9%.
Në Evropë, më pak për bukë e drithëra në raport me PBB-në shpenzojnë Danimarka, Suedia, Gjermania, Norvegjia, Finlanda, Zvicra etj, me më pak se 1% të PBB-së.