Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se mirëpret përparimin e shënuar në bisedimet e 27 shkurtit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat i cilësoi si mundësi historike për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Zoti Stoltenberg i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj në Bruksel.
“Mbështesim përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu mirëpresim bisedimet e fundit që u zhvilluan këtu në Bruksel, si pjesë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës e Beogradit. NATO do të vazhdojë të mbështesë plotësisht këtë dialog sepse ne besojmë që kjo është rruga e vetme përpara për qëndrueshmërinë në Kosovë. Kemi një mundësi historike që mund të jetë shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin, prandaj mbështesim qasjen konstruktive. Është e rëndësishme tani që palët të tregojnë fleksibilitetit dhe gatishmëri për kompromis si dhe të shfaqin vullnet të vërtetë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme”, tha zoti Stoltenberg.