Shefi i misionit të Bashkimit Evropian Lars-Gunnar Wigemark, tha se sundimi i ligjit në veri të Kosovës i banuar kryesisht nga pjesëtarët serb është i brishtë.
Situata mbetet e tensionuar në veri, pasi fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb.
Ai tha se situata mbetet e paqëndrueshme dhe paralajmëroi se kriza mund të përshkallëzohet lehtësisht. Rreth 130 pjesëtarë të policisë së EULEX-it dhe rreth 160 policë shqiptarë po kujdesen për sigurinë në zonë, përfshirë edhe patrullimet më këmbë, pasi të gjithë përfaqësuesit etnikë serbë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në muajin nëntor.
Qeveria në Prishtinë ka thënë se nuk do të lejojë rikthimin në detyrë të oficerëve të policisë që kanë dhënë dorëheqjen dhe në vend të kësaj do të mbushë boshllëkun me pjesëtarë të policisë nga pjesë të tjera të vendit, derisa të punësohen oficerë të rinj nga pakica serbe.
- Advertisement -
Mosmarrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës kanë mbetur një burim paqëndrueshmërie në Ballkan edhe 24 vjet pas luftës që përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s. Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, të cilën Beogradi i mbështetur nga Rusia dhe Kina refuzon ta njohë.
“Jemi të pakompromis në sundimin e rendit dhe ligjit, në mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, në jetën dhe pasurinë e qytetarëve në atë rajon. Për këto çështje nuk mund të ketë kompromis. Absolutisht nuk duam një konflikt të ri në Kosovë”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla, i cili akuzoi Serbinë dhe Rusinë se po përpiqen të destabilizojnë vendin nëpërmjet grupeve kriminale në veri.