Tomas Szunyog, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nëpërmjet një postimi në X, ka thënë se gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga presioni politik.
Ai ka kërkuar nga Qeveria të përmbahet nga deklarata që cënojnë gjyqësorin.
“Takova kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Theksova se Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimi dhe presioni politik. Për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të”, ka shkruar Szunyog.
Tutje ai ka kërkuar respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke “përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit”.
- Advertisement -
Ndërkaq edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka deklaruar se Kosova duhet të kryej pjesën e saj për të qenë pjesë e BE-së.
“Ndaj edhe këtu shqetësimin e kolegut tim nga Evropa. Sundimi i ligjit ‘à la carte’ nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Evropës e as Bashkimit Evropian. Mbështetja ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian është për zemër për ne, por edhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj”, ka shkruar Rohde.