Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet po mbajnë stërvitjet më të mëdha ushtarake, një ditë pasi Kina përfundoi stërvitjet e saj në shkallë të gjerë përreth Ngushticës së Tajvanit.
Gjatë tri ditëve të kaluara, ushtria e Kinës ushtroi bllokimin e Tajvanit, në përgjigje të një takimi që zhvilloi presidentja tajvaneze me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, javën e kaluar.
Uashingtoni tha se reagimi i Kinës është joproporcional, ndërsa presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, tha se sjellja e Pekinit është “e papërgjegjshme” dhe se ajo ka të drejtë të bëjë vizita në SHBA.
Stërvitjet e SHBA-së janë planifikuar qysh më herët.
- Advertisement -
Zyrtarët filipinas dhe amerikanë kanë thënë se stërvitjet tregojnë përkushtimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajonin e Indo-Paqësorit, i cili është i hapur dhe i lirë.
Uashingtoni ka njoftuar muajin e kaluar se stërvitja vjetore me Filipinet, Balikatan, do të jetë më e madhja e tyre ndonjëherë, duke përfshirë më shumë se 17.000 trupa – prej tyre 12.000 nga SHBA-ja.
Stërvitjet dyjavore do të përfshijnë, po ashtu, simulimin e hedhjes në erë të një anijeje luftarake në Detin e Kinës Jugore – veprim ky që mund ta zemërojë Kinën.
Kontesti Kinë-Tajvan
Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë një lufte civile më 1949, por Pekini gjithmonë ka pohuar se ishulli do të duhet t’i kthehet. Pekini e cilëson si separatiste Qeverinë në Taipei dhe refuzon ta përjashtojë përdorimin e forcës për ta kthyer atë në orbitën e tij.
- Advertisement -
Tajvani ka marrëdhënie të plota diplomatike me vetëm 13 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, pasi Kina u ka kërkuar aleatëve të saj që të mos e njohin legjitimitetin e tij si komb i pavarur.
Ishulli ka gjithashtu kushtetutën e tij, udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një forcë ushtarake profesionale prej 162.000 personash.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë raporte diplomatike me Tajvanin, por kanë marrëdhënie të thella joformale. Nën presidentin Joe Biden, Uashingtoni ka dërguar armë në Tajvan, ashtu si edhe njësi speciale të trajnimit ushtarak.