Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania do të dërgojnë së shpejti trupa shtesë në Kosovë. Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, vendet anëtare të NATO-s kanë rritur prezencën me trupat ushtarake në veri.
E shumë shpejt, 100 ushtarë nga Garda kombëtare e Idaho-s pritet të vendosen në Kosovë. Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Ushtria amerikane.
“Operacioni Joint Guardian është një mision i përbashkët nën Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara. Ushtarët do të fokusohen në trajnimin dhe mbështetjen e partnerëve aleatë”.
“Ushtarët e Task Force Sawtooth kanë punuar dhe trajnuar me zell gjatë 18 muajve të fundit për këtë dislokim”, thuhet në njoftim.
- Advertisement -
Ndërsa edhe Bundeswehri gjerman ka bërë të ditur se 200 ushtarakë do të zbarkojnë në Kosovë. “Për vite me radhë, pjesëmarrja gjermane në operacionin e Forcave të Kosovës KFOR u karakterizua nga tkurrja e kontingjenteve”.
“Megjithatë, meqë shpërthimet në rritje të dhunës kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit që nga viti 2022, Bundeswehr-i po dërgon një kompani operative prej rreth 200 burrash dhe grash në Forcën e KFOR-it të Kosovës në vitin 2024. Me patrullat e saj ajo siguron pak më shumë siguri”, thuhet ne njoftim.