Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë edhe dhjetë ditë afat për t’i konvertuar patentë shoferët e tyre – që janë lëshuar nga autoritetet serbe – në ato të autoriteteve të Kosovës. Nëse nuk veprojnë ashtu deri më 9 gusht, dhe policia i ndalon gjatë vozitjes, ata do të konsiderohen se e kanë drejtuar veturën pa patentë shoferë, kanë thënë zyrtarë të Policisë së Kosovës në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL). Zyrtarët policorë theksojnë se, në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.
Shuma e gjobave, sipas ligjit, është nga 500 deri në 1.500 euro. Autoritetet e Kosovës nuk i njohin dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Megjithatë, në disa raste ato “tolerohen”, për shkak se procesi i integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës nuk është përfunduar plotësisht. Nga ana tjetër, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, dhe nuk është ndalur asnjëherë së lëshuari dokumente për territorin e Kosovës.
Autoritetet serbe i lëshojnë këto dokumente prej qyteteve të ndryshme të Serbisë. Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, të dyja palët kanë arritur marrëveshje për njohjen e dokumenteve personale, por nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me dokumentet e lëshuara nga Serbia për serbët që banojnë në Kosovë.
Prandaj, palët shpesh interpretojnë ndryshe-ndryshe marrëveshjen e Brukselit.
Çfarë do të ndodhë pas afatit?
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, ka thënë për REL-in se Policia e Kosovës nuk do t’i “tolerojë” më ato patenta që u jepen serbëve me banim në Kosovë, pas skadimit të afatit për pajisjen e tyre me patentë shoferë të Kosovës. Ai tregon se në atë rast, një individ do të gjobitet për mosposedim të patentë shoferit.
“Pas shqiptimit të një gjobe të tillë, vetura duhet të drejtohet nga dikush që ka patentë shofer [kosovar]. Nëse [pronari i veturës] nuk ka dikë tjetër që ta largojë makinën, ajo duhet të parkohet diku menjëherë, ose do ta konfiskojmë”, thotë Elshani.
- Advertisement -
Cila është procedura për marrjen e patentë shoferit të Kosovës?
Më 7 maj, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka marrë vendim për të lejuar qytetarët e komunitetit serb t’i konvertojnë patentë shoferët serbë me ata të lëshuar prej autoriteteve të Kosovës. Vendimi ka hyrë në fuqi dy ditë më vonë, më 9 maj, dhe do të zbatohet deri më 9 gusht 2024. Për marrjen e patentë shoferit të Kosovës, nuk duhet nënshtruar ndonjë testi të vozitjes.
Krejt çfarë duhen janë:
letërnjoftimi i Kosovës,
patentë shoferi origjinal, i lëshuar nga autoritetet serbe, dhe
një certifikatë e kontrollit mjekësor.
Sa patentë shoferë janë zëvendësuar?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 27 korrik se rreth 4.000 serbë nga Kosova kanë dorëzuar kërkesë për konvertimin e patentë shoferëve të tyre, të lëshuar prej Serbisë, me ata të Kosovës.
- Advertisement -
Në këtë shifër bëjnë pjesë kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, sepse ata në jug të Ibrit patentë shoferët e Kosovës i kanë marrë rreth 10 vjet më parë. “I ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar ende për konvertim të patentë shoferit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila ofrohet në të gjitha komunat deri më datë 9 gusht. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook. Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM (Mitrovica e Kosovës).
Procesi i riregjistrimit të automjeteve, i cili ka zgjatur prej fundit të vitit 2022 deri në mesin e dhjetor të vitit 2023, ka nxitur një sërë krizash në veri të Kosovës: daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, protesta, barrikada, bojkot të zgjedhjeve, dhe gjithçka kulmoi me një sulm të armatosur të një grupi të organizuar të serbëve kundër Policisë së Kosovës. Megjithatë, sot, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposavç, Zveçan dhe Zubin Potok – nuk mund të shihen targat KM, me të cilat vlerësohej se ishin të regjistruara rreth 10 mijë makina.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, rreth 4.000 vetura i kanë konvertuar targat KM në RKS, ndërsa pjesa tjetër i ka regjistruar veturat e tyre në qytete të Serbisë.
- Advertisement -
Kështu, individët që kanë makina me targat BG (Beograd), KG (Kragujevc), RA (Rashkë) dhe targa të tjera të regjistruara në qytetet e Serbisë, ngasin veturat në Kosovë me autorizim, sepse vendbanimi i tyre është në Kosovë.
Me çfarë patentë shoferi mund të drejtohet një makinë me autorizim?
Veton Elshani nga Policia e Kosovës e ka parë si problematike çështjen e drejtimit të veturës me targa të Serbisë (BG, KG, RA) në Kosovë, dhe ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme po punon për gjetjen e një zgjidhjeje. Deri atëherë, sipas Elshanit, edhe pronarët e këtyre veturave do të mund të drejtojnë një automjet me patentë shoferë kosovarë dhe jo serbë, që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës. “Nuk do të merren masa për ata që, për shembull, vozisin me targa BG dhe tregojnë patentë shoferë të Kosovës”, thekson ai.
Ai shton se, në bazë të ligjit, një gjë e tillë në fakt nuk është e mundur, por që autoritetet e Kosovës po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të këtij problemi.
Në Serbi, autorizimet e tilla lëshohen në bazë të të dhënave të letërnjoftimit dhe patentë shoferit. Kjo do të thotë se, serbët nga Kosova, të cilët nuk e kanë ndërruar vendbanimin në sistemin serb, dhe drejtojnë veturë me targa të një qyteti të Serbisë, në autorizim kanë të dhëna të letërnjoftimit që lëshon Serbia për qytetet e Kosovës. Këtë letërnjoftim se pranojnë autoritetet e Kosovës. Në këtë rast, autoritetet e Kosovës, tash për tash, e pranojnë autorizimin serb, por jo letërnjoftimin dhe as patentë shoferin e lëshuar prej autoriteteve serbe./REL