Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me largimin e mjekëve nga Kosova. Sejdiu tha se me lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së prej 1 janar 2024, pritet të ketë largim të ndjeshëm të mjekëve.
“Nëse konsiderojmë që kjo është një e mirë e ardhur për të gjithë qytetarët e Kosovës ku lëvizja dhe kontaktet do të jenë shumë më të lehta dhe në rastin e atyre që dëshirojnë të punësohen në shtetet e Bashkimit Evropian kjo mundësi rritet. Presim një rritje të ndjeshme sa i përket largimit të mjekëve, kryesisht mjekët e rinj” tha Sejdiu.
Sejdiu tha se këtë vit ka një rritje të ndjeshme të largimit të mjekëve, krahasuar me vitin e kaluar.
Kryetari i OMK-së, tha se deri tani janë larguar 91 mjekë, një shifër relativisht e lartë.“Këtë vit kemi një rritje të largimit të mjekëve për në vendet e BE-së, krahasuar me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë 211 gjatë tërë vitit ku mbi 70% kanë qenë mjekë të rinj, kryesisht ato të papunë, dhe një pjesë e tyre specializantë. Ky trend këtë vit është rritur, deri ditën e sotme kemi 91 mjekë të larguar, një rritje mjaft e ndjeshme” tha Sejdiu në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”