Pas raportit të sivjetmë të Raportit për Kosovën të Komisionit Evropian, ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), duke u fokusuar në çështjen për barazi dhe integrim gjinor. Në Raportin e Komisionit, sipas RjGK-së, kërkohet vëmendje e mëtejshme për rritjen e barazisë gjinore në Kosovë, sidomos në sundim të ligjit, politika sociale dhe siguri.
Në përgjithësi, Raporti adresoi përafërsisht 70% të rekomandimeve të bëra nga RrGK dhe anëtarët e saj. E sipas kësaj organizate , në lidhje me avancimin e barazisë gjinore, Raporti i vitit 2023 thekson se Kosova duhet të bëjë përmirësime në disa fusha.
Në sundimi të ligjit, kërkohet përmirësim i kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të trajtuar rastet e dhunës me bazë gjinore në përputhje me ligjet, Strategjinë 2022-2026 kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe Protokollit të ri të Shtetit për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.
Ndërsa në fushën e të drejtave themelore, sipas RrGK-së, kërkohet përforcimi i mbrojtjes së të drejtave civile dhe themelore të grave duke miratuar Kodin Civil, duke zbatuar Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe duke forcuar zbatimin e Ligjit për barazinë gjinore dhe Strategjisë për dhunën në baza gjinore.
- Advertisement -
“Te politika sociale dhe punësimi kërkohet miratimi i ndryshimeve në Ligjin e punës për të harmonizuar me acquis-in e fundit të BE-së, veçanërisht në lidhje me mosdiskriminimin në punësim dhe lejen prindërore; Vazhdimi i reformave të thella në fushën e skemave të asistencës sociale për të garantuar shënjestrim dhe ndikim më të mirë dhe për të përmirësuar qasjen në shërbimet sociale”, citon RrGK.
Duke theksuar fushat se ku duhet të ketë përmirësim, RrGK thekson se edhe me tej mungon një analizë gjinore brenda kontekstit të sigurisë, veçanërisht në rajonet e prekura nga dhuna e shtuar.
“Roli i grave në proceset e paqes vazhdon të neglizhohet duke ndikuar në mungesën e gjithëpërfshirjes në Dialogun Kosovë-Serbi; trajtim i plotë i dhunës me bazë gjinore nën kapitullin e sundimit të ligji; të dhëna të pamjaftueshme të ndara sipas gjinisë në sektorë të ndryshëm, duke kufizuar një kuptim gjithëpërfshirës të nevojave shoqërore”, thuhet në komunikatë.
RrGK, ndërkaq rekomandon një sërë veprimesh për të siguruar që raportet e ardhshme të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese. “I bëjmë thirrje BE-së që të mbetet e përkushtuar për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për adresimin e boshllëqeve të mbetura”, thuhet në reagimin e RrGK-së.