Hyrja në fuqi e vendimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës është pasuar nga një bum kërkesash për pasaporta.
Që nga data 3 janar, rreth 39 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaporta të Republikës së Kosovës, shifër kjo e konsideruar si mjaft e lartë për Agjencinë e Regjistrimit Civil, e cila thotë se po punon në kushte të jashtëzakonshme. Për shkak të fluksit të madh, tani do të duhet të kalojnë më shumë se 30 ditë, që qytetarët të pajisen me pasaportë.
Vonesa me mbi një muaj po ndodh për shkak se prodhimi nuk mban dot të njëjtën ritëm me aplikimet. Kreu ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, sqaroi se i kanë rritur të gjithë kapacitetet në mënyrë që t`i përgjigjen sa më mirë situatës, por kërkesa është tepër e lartë dhe nuk e përballojnë dot. “Ne i garantojmë qytetarët”, tha ai, se Ministria e Punëve të Brendshme ka pasaporta të mjaftueshme, janë të furnizuar dhe kanë kontratë për 3 vite, por shtetasit e interesuar thjesht duhet të presin pak më shumë se zakonisht për t`i marrë ato. Në kushte normale, afati ligjor i pajisjes me pasaportë është 15 ditë.
Sipas Camajt, edhe qytetarët serbë janë duke aplikuar për pasaporta të Republikës të Kosovës, dhe kërkesat e tyre janë në rritje edhe në komunat veriore me shumicë serbe.