Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu ka pranuar sot detyrën e re. Sipas njoftimit nga ky institucion, ai e nisi punën duke u zotuar për llogaridhënie dhe transparencë.
“Rektori Arben Hajrullahu ka nisur punën në krye të Universitetit të Prishtinës duke u zotuar për llogaridhënie dhe transparencë. Pranim-dorëzimi i detyrës është bërë nga Qerim Qerimi që drejtoi UP-në nga viti 2022 deri ditën e sotme, 1 tetor 2024. Të pranishëm në pranim-dorëzimin e detyrës ishin edhe prorektorët e rinj të zgjedhur nga profesor Hajrullahu. Ish-rektori Qerimi i uroi shumë suksese rektorit të ri, duke ia kujtuar se suksesi i tij është sukses i Universitetit të Prishtinës”, njofton UP.
Hajrullahu u zgjodh rektor në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës të mbajtur më 7 gusht. Ai ka qenë mësimdhënës në Fakultetin Filozofik, teksa ka doktoruar në Universitetin e Vjenës.
“Hajrullahu ka publikuar punime shkencore kryesisht për integrimet evropiane dhe është angazhuar edhe për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan e përtej. Me ekipin e prorektorëve: Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu e Rozafa Basha, ai synon ta sjellë në Universitetin e Prishtinës saktësinë, punën dhe përvojën e fituar nëpër institucionet akademike gjermane e anglofone”, vazhdon njoftimi i UP-së.
- Advertisement -
Rektori Hajrullahu ka mandat të drejtojë Universitetin e Prishtinës deri më 15 shtator 2028.