Një tryezë e përbashkët mblodhi në një vend liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku me përfaqësues të BE-së e SHBA-së në kuadër të takimit për planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në hapje të saj, liderët rajonalë u shprehën entuziastë për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal si parakusht për afrimin me BE-në. Por brenda në takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tërhoqi vërejtjen se liria për mallra nuk duhet të shfrytëzohet për bartje municionesh duke vënë në theks sulmet terroriste në veri të vendit, transmeton RTKlive.
“Që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të përafrohen, kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten. Kërkova edhe mirëbesim në marrëdhënie mes vendeve tona, institucioneve dhe popujve tonë. Kjo nuk mund të ndodh nëse liria për mallra shfrytëzohet që të barten municione. Marrëdhëniet normale janë kyç për shfrytëzimin e potencialit”, ka thënë Kurti.
Këtë deklarim ai e sqaroi edhe në konferencë për medie kur vuri në pah se Kosova vazhdon të mbajë në fuqi masën e sigurisë sa i përket mallrave që vijnë nga Serbia.
- Advertisement -
“Ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë. Kemi masa të sigurisë. Në vitin 2023, 3 herë kemi pasur sekuestrime ne veri të Kosovës. I gjithë ky armatim është prodhuar ne Serbi dhe ka ardhur nga Serbia. Për shkak të kontrollave të shtuara, ka mundësi që ndërmarrjet e caktuara nuk janë të interesuara të kalojnë kufirin në Kosovë sikurse dikur. Masat e sigurisë nuk jemi të gatshëm t’i tërheqim derisa kemi grupin paramilitar”, ka deklaruar kryeministri.
Në anën tjetër, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së që ishin pjesë e këtij takimi iu bënë me dije liderëve të Ballkanit se nuk do të lejojnë bllokimin e njëri-tjetrit në rrugën drejt integrimeve, transmeton RTKlive.
“Ne do ju ndihmojmë që të integroheni mes vete deri sa të integroheni përfundimisht në Bashkimin Evropian. Pa integrim të rajonit ju nuk mund të shfrytëzoni mjaftueshëm tregun e brendshëm. Prandaj vendosëm kusht që ju nuk duhet të bllokoni fqinjët e juaj, sepse mund të bllokoni vetveten nëse bllokoni fqinjët. Nëse i bllokoni fqinjët nuk do keni mundësi për hyrjen në tregun e brendshëm se kosto është shumë e lartë,” ka thënë Gert Jan Koopman, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian.
Ndërkaq James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, ka thënë se asnjë shtet s’duhet ta pengojë fqinjin për avancim.
“Askush s’ka të drejtë të pengojë dikë për avancim pasi s’ka çështje dypalëshe të pazgjidhur, kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja, nëse një shtet do të presë të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse ata liderë janë të duhurit”, ka thënë O’Brien.
- Advertisement -
Liderë të vendeve të rajonit të prirë nga nikoqiri maqedonas, Dimitar Kovaçevski theksuan angazhimin për përmirësimin e katër lirive të lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve
“Jemi fokusuar në dy nga katër shtyllat e planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, pra në tregun e vetëm rajonal dhe në tregun e vetëm evropian, për disa arsye. Para së gjithash, unë personalisht ndjej se këto dy shtylla janë lënë pak pas dore deri më tani në publik. Së dyti, ata do të luajnë ‘një rol kyç në shërbim të potencialit primar të rajonit”, ka thënë kryeministri maqedonas.
“Bëhet fjalë për testin e madh të pjekurisë për ne dhe ne patjetër duhet ta kalojmë këtë. Këtu duhet të nënvizoj edhe një çështje. A mund ta paramendoni në çfarë pozicioni më të mirë do të ishim nëse BE do të ishte më serioze me integrimin rajonal në menaxhimin me çështjet e vërteta. Kështu do të duhej të ishte kur filloi procesi i Berlinit por ky proces ndodh një herë në vit. Andaj ne filluam me Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, transmeton RTKlive.
- Advertisement -
Ndërkaq Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka thënë se është i hapur “për gjithçka, për të gjitha idetë për t’i realizuar” sa i përket tregut të përbashkët rajonal.
“Kam lutje të madhe që të na ndihmoni me çështje të tjera që duhet të zgjedhin disa probleme të mëdha me të cilat do të ballafaqohemi. E dini se duhet të harmonizohemi kur flasim për masa ekonomike dhe politika të ndryshme para se të hyjmë në BE”, ka thënë Vuçiqi.
Kryeministri malazez, Milojko Spaiq, ka deklaruar se do t’i bëjnë përpjekjet maksimale që rajonin ta sjellin më afër BE-së. Ka shtuar se duhet dërguar mesazhe për bashkim.
“Është e qartë se të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të dialogut dhe bashkëpunimit tonë të ngushtë. Fakti se kemi nivel të lartë të konsensusit, zbatimi i planit është nxitje shtesë për të gjithë ne për më shumë punë. E ardhmja e vendit varet nga bashkëpunimi”, ka thënë Borjana Kristo, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës.
Në këtë nismë, Kosova ka dorëzuar përmes kryeministrit Kurti një listë të reformës së administratës publike dhe reformës së financave publike. Teksa është bërë e ditur se në vazhdim do të dorëzojë projektet që ka për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimit të hendekut infrastrukturor. Kurti mes tjerash përmendi edhe Procesin e Berlinit i cili sipas tij është nisma e cila garanton afrimin me BE-në derisa për “Ballkanin e Hapur” tha se nuk i ka rregullat dhe financimin e BE-së, transmeton RTKlive.