Raportuesja për Kosovën dhe njëherësh euro-deputetja e të Gjelbërve, Viola von Cramon, ka konfirmuar se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, si përgjigje për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do ta dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, tha Von Cramon, në një intervistë me Alice Taylor në podcastin ‘Inside Albania” në Euronews.
Ajo ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duhet të bashkëpunojë dhe të sigurojë një hetim korrekt për ngjarjen e 24 shtatorit.
“Vuçiç është në kontroll të shumëçkaje që ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, ka thënë ajo.
- Advertisement -
Von Cramon zbuloi se për çështjet e mbetura pezull në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është në diskutim një propozim i ri, por nuk ka dhënë detaje.
“Ajo që kuptoj është se shumë diplomatë po hartojnë një tjetër propozim se si do të ecim para. Më tepër detaje nuk mund të jap për momentin”, tha von Cramon.