Për situatën në veri të Kosovës, ka folur sot edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rrama. Gjatë pjesëmarrjes së tij në forumin “Globalsec” në Bratislavë të Sllovakisë, kryeministri shqiptar është pyetur për ushtrinë e Serbisë dhe lëvizet e saj.
Për çfarë mendoni se është duke u përgatitur ushtria e Serbisë? Kjo ishte pyetja drejtuar Ramës, nga një shikues që po ndiqte online këtë forum dhe i referohej lëvizjeve të ushtrisë serbe në drejtim të kufirit me Kosovën, pas urdhrit të Presidentit të këtij vendi, Aleksandar Vuciq.
Krejt këtë, Rama e cilësoi shfaqje. “Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikes së brendshme, sepse ushtria serbe në kufi të Kosovën ka një fuqi të barabartë me zero”, tha Rama në këtë forum.
“Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufirin me SHBA. Çfarë mund të bëjë? Asgjë!”, tërhoqi paralele Rama, duke arsyetuar se ka respekt të madh për vendet, por në këtë rast e kishte fjalën për fuqinë ushtarake të tyre.
- Advertisement -
“Krejt kjo ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Ka shumë në lidhje me politikën e brendshme, dhe atë se çfarë ndodh në kufirin me Kosovën”, u shpreh ai.
I pranishëm në këtë forum dhe në panel të diskutuesve ishte edhe Dimitar Kovaçeski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Ai tha se e vetmja zgjidhje për situatën e krijuar në cveri është zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
Kovaçeski solli në vëmendje marrëveshjen kuadër të Ohrit e firmosur në 2001, që rregulloi përmes diplomacisë marrëdhëniet mes dy etnive, shqiptare dhe maqedonase në këtë shtet.