Një foto e publikuar në rrjetin social Facebook nga kryeministri Edi Rama, për të treguar se sot u takua më Presidentin e Republikës, ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, për vetë pozicionin e Bajram Begajt në raport me shefin e qeverisë dhe mënyrën sesi ky i fundit e trajton Kreun e ri të Shtetit.
Teksa në rrjet shpërthyen reagimet dhe komentet tallëse e ironizuese për fuqinë dhe kompetencat e Begajt, stafi i Ramës nuk vonoi shumë dhe e ndryshoi foton, duke vendosur një tjetër ku dy figurat e larta të shtetit shfaqen duke biseduar dhe të buzëqeshur, të ulur përballë njëri-tjetrit.
Pavarësisht reagimit të shpejtë të stafit të kryeministrit për të fshirë foton tallëse, në arkivën e takimeve Rama-Begaj janë të shumta imazhet dhe videot kur kryeministri mban një pozicion shpërfillës ndaj Presidentit.
Me talljen e Ramës nisi karriera e Begajt si President, pasi që në ditën kur u takua për herë të parë me të në Kryeministri dhe i ofroji postin e Presidentit, Rama hodhi disa batuta pa kripë që tregojnë vlerësimin e ulët që ka për figurën që përzgjodhi për ta ulur në karrigen e Kreut të Shtetit.