Qeveria harron edhe një premtim, nuk i kompenson komunat e prekura nga vërshimet- Madje as disa nga ato të vitit të kaluar
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompensuar dëmet për komunat e prekura në vërshimet e këtij viti.Ibrahimi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, ka kaluar më shumë se një muaj që të gjitha komunat i kanë dorëzuar raportet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por kompensimi është në duar të Qeverisë.
“Është për t’u ardhur keq që pas disa muajve, ende qytetarët e prekur nga reshjet e fundit nuk janë kompensuar. Komunat i kanë kryet obligimet e tyre ligjore, por Qeveria ka mbetur t’i kompensojë qytetarët.Ka kaluar më shumë se një muaj që të gjitha komunat i kanë dorëzuar raportet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por është në duar të Qeverisë”, tha Ibrahimi.Tutje Ibrahimi tha se, Qeveria e Kosovës nuk i ka kompensuar as dëmet e shkaktuara nga vërshimet e vitit të kaluar në disa komuna.
“Sipas informatave që kemi nga kryetarët e komunave, dëmet e shkaktuara nga viti i kaluar nuk janë kompensuar ende në disa raste. Pra, presim që Qeveria të reflektojë sa më shpejt që është e mundur dhe t’i kompensojë qytetarët nga dëmet e shkaktuara nga vërshimet”, u shpreh Ibrahimi.