Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka rënë nën llupën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin për kurdisje të tenderit “Themelimi i Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”, të hapur nga Komuna e Prishtinës, nga i cili doli fitues konzerciumi “Anarch” dhe “Ardi Ç”, që është në pronësi të mikut të Ramës, Astrit Nixhës.
Lajmin për Kiks Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij institucioni, Liridona Kozmaqi.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se gjendet në trajtim në Prokurorinë Speciale. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund të japim informacione tjera”, thuhet në përgjigjen e saj.
Hetimet e Speciales filluan pasi që më 4 qershor, emisioni hulumtues “Kiks Kosova”, në Klan Kosova publikoi shkelje e parregullësi të cilat e shoqëruan gjithë procesin e prokurimit, nga i cili doli fituese kompania e mikut të Ramës.
- Advertisement -
Kiksi zbardhi detaje se si Nixha arriti të shpërblehet me tenderin 12 milionësh me dhjetëra dallavere në dokumentet me të cilat aplikoi, e si Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Rama, e kurdisi tenderin për ta fituar Nixha.
Pavarësisht publikimit të fakteve, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), që njihet edhe si Gjykata e Tenderëve, nuk ka reaguar ende.
Madje, OShP-ja, nuk mori veprime as kur pranoi ankesa nga ofertuesit e tjerë në këtë tender. Ishte koncerziumi i operatorëve “Gjeokonsult&CO”, të cilët pretendonin se kompania e Nixhës “Anarch” dhe “Ardi Ç”, e cila fitoi me emrin e njëjtë me atë të tenderit “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, ishte e pashpjegueshme që në fillim pasi nuk kishte dorëzuar propozimin financiar sipas formularit të përcaktuar nga autoriteti kontraktues.
Ata akuzonin kompaninë fituese se kishte ndryshuar formatin duke fshirë kolonën e poentimit në %.
Madje, sipas tyre, propozimi financiar i fituesit të tenderit dorëzoi një ofertë jo të përgjegjshme dhe të parregullt, për çka thanë se operatori ekonomik “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” KA SHKELUR LIGJET DHE RREGULLORET E VENDOSURA DHE TË PËRCATUARA NGA KRPP, gjë për të cilën komisioni i vlerësimit të ofertave duhet të kërkonte diskualifikimin e menjëhershëm.
- Advertisement -
Ky operator pati edhe një ankesë tjetër kundër fituesit, duke aluduar se fituesi ishte më i shtrenjtë se ta.
Prokuroria Speciale e Kosovës merret me hetimin e krerëve të lartë institucional./Klankosova.tv/