Në prag të përpjekjes së 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas 19 dështimeve që nga 15 prilli, 62 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ashpër ndaj krizës së thellë institucionale që ka përfshirë vendin.
Në një deklaratë të përbashkët, ato shprehen të shqetësuara për dështimin e vazhdueshëm të deputetëve për të konstituar Kuvendin dhe për, siç thuhet, refuzimin e lidershipit politik për të hyrë në dialog me qëllim zgjidhjeje.
“Kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. Po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik e institucional të vendit. Qeveria aktuale, me mandat të përfunduar, po vepron pa mbikëqyrje parlamentare – një situatë e papranueshme për një shtet demokratik,” thuhet në reagim.
Sipas organizatave, mosfunksionimi i Kuvendit po bllokon miratimin e ligjeve dhe vendimeve strategjike, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin publik në përfaqësimin demokratik.
- Advertisement -
Organizatat paralajmërojnë se bllokada po vonon dhe rrezikon edhe pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, në një kohë kur fondet nga BE-ja dhe SHBA-të janë reduktuar ndjeshëm për shkak të masave të vendosura ndaj Kosovës.
Në fund, 62 organizatat i bëjnë thirrje udhëheqësve partiakë që të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë urgjentisht për tejkalimin e krizës politike.
“Përmes dialogut dhe me fokus në të mirën e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim është e papranueshme dhe cenon besimin publik,” thuhet në reagim, ndërsa organizatat shprehin gatishmërinë për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhjeje dhe rikthimin e funksionalitetit demokratik.