Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Nju-Jork, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare.
“Presidentja është ftuar së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Ndërkaq, zotëria i parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga zonja e parë e SHBA-ve, Jill Biden”, njofton Presidenca.
“Përgjatë kësaj vizite, presidentja në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftimin e Presidencës.
Ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.
- Advertisement -
Përveç takimeve, presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.
Në agjendën e presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.