Sot ka filluar fushata “Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Në hapje të kësaj fushate kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilat kanë vendosur shenjat e duarve me ngjyrë mbi transparentin “Ato janë ne”.
“Sot po i fillojmë 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore. Jemi këtu për ta ngritur edhe një herë zërin tonë kundër dhunës me baza gjinore dhe për të thënë se ky aktivizim ndaj këtij fenomeni jashtëzakonisht të dëmshëm për shoqërinë tonë duhet të jetë çdo ditë të vitit dhe jo vetëm tani”, tha presidentja Osmani.
Gjatë këtyre 16 ditëve me plot aktivitete, ajo tha se synohet të ngritin vetëdijen kundër dhunës mbi baza gjinore, dhunës në familje, dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe dhunës ndaj vajzave në çdo ambient.
Osmani tutje tha se po punojnë që t’i ashpërsojnë dënimet ndaj atyre që kryejnë dhunë.
- Advertisement -
“Në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar gjatë këtij viti, që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por në të njëjtën kohë që të punojmë së bashku me të gjitha institucionet në mënyrë që të kemi edhe parandalimin e këtij krimi. Jo dënim vetëm pasi që të ndodhë krimi”, tha Osmani, duke u bërë edhe një herë thirrje vajzave dhe grave që ta ngritin zërin kundër dhunës.
https://fb.watch/oAa8-8X27R/