Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nis sot vizitën shtetërore në Zvicër me ftesë të presidentes zvicerane, Karin Keller-Sutter. Kjo është vizita e parë shtetërore e një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet alpin, duke shënuar një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Presidentja Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore dhe ceremoni ushtarake në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, ku do të zhvillohet pritja zyrtare nga presidentja zvicerane.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, Osmani do të zhvillojë takime me presidenten Keller-Sutter dhe anëtarët e Këshillit Federal. Ajo pritet gjithashtu të mbajë një fjalim në Parlamentin e Zvicrës, si dhe të marrë pjesë në një konferencë të përbashkët për media me homologen e saj.
Në nder të delegacionit kosovar, presidentja Keller-Sutter do të organizojë një banket shtetëror, që simbolizon partneritetin e qëndrueshëm dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, thuhet në një njoftim të Presidencës.
- Advertisement -
Vizita do të vazhdojë në pjesën lindore të Zvicrës, ku të dyja presidentet do të vizitojnë një ndërmarrje prodhuese, si dhe një qendër të Universitetit të Saint Gallen.
Në Gjenevë, presidentja Osmani do të takohet me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Zvicër, një komunitet i rëndësishëm që ka dhënë kontribut të madh në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Sipas Presidencës, kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë historike dhe simbolike, pasi pasqyron marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale mes Kosovës dhe Zvicrës, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunim të ngushtë institucional.