Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani masakrën e Poklekut e ka krahasuar me Holokaustin.
Ajo tha se në këtë masakër janë vrarë më së shumti fëmijë, e madje janë djegur trupat e tyre për të fshehur krimin e ndodhur nga forcat serbe.
“Këtu në Poklek ka ngjarë një Holokaust i vërtet, siç edhe e dini me diku 54 anëtarë të familjeve Muçolli, Elshani dhe të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë. Shumica dërmuese fëmijë fillimisht janë ekzekutuar, pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohet krimi i tyre. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit, ka thënë Osmani.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ajo që ka ndodhur është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe qëllimit të saj për të shfarosur shqiptarët.
- Advertisement -
“Nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca është shprehur se masakrat e kryera në Kosovë janë akte të gjenocidit mbi popullin dhe civilët.
“54 vetëm këtu në Poklek janë ekzekutuar prej ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të Serbisë. Pot, sot 24 vite më parë 128 civilë në përgjithësi në Kosovë janë vrarë prej shtetit serb. Dhe ne jemi këtu për të kujtuar ata që ranë për Kosovën. Është ditë e dhimbjes, por edhe krenarisë, për arsye se pikërisht falë këtij gjaku të derdhur të popullit të Kosovës dhe sakrificave të panumërta që ne i kemi bërë si popull dhe si shoqëri, jemi çliruar dhe ka ardhur liria e Kosovës për popullin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Pas vizitës në shtëpinë e familjes Muqolli, i zoti i shtëpisë, Fadili para tre liderëve të shtetit ka thënë se nuk do e falin asnjëherë krimin që është kryer në shtëpinë e tij.
“Bashkësia ndërkombëtare po bën pazare politike, përkedhelët, shpërblehet. Neve na kënë lënë si në burg. Mirëpo, nëse sigurohet dhe garantojnë që shteti jonë do të bëhet shteti, unë jam në gjendje me ja fal. Derisa të vdes unë drejtësi do të kërkojë, derisa ta kam frymën dhe shnetën. Edhe nuk ja fali kurrë. Por, nëse i kërkohet Kosovës, jam në gjendje edhe me ja fal krimin”, është shprehur ai.
- Advertisement -
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe edhe në Çikatovë të Vjetër.
Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç.