Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka uruar qytetarët për 2 Korrikun, duke e konsideruar ngjarje emblematike që shënoi kthesën historike për liri e pavarësi.
“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim”, deklaroi Osmani.
Delegatët e asaj kohe, sipas saj, i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi”, tha Osmani, sipas të cilës, “2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe”.