Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të qëndrojnë jashtë shtetit ditët e ardhshme pasi do të marrin pjesë në forume në dy vende të ndryshme.
Presidenca ka njoftuar se Osmani ka udhëtuar për në Alpbach të Austrisë për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian Alpbach 2023.
Në këtë forum, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor në hapje të forumit, i cili do të fokusohet në rishikimin e politikës aktuale të zgjerimit, adresimit të sfidave aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Sipas njoftimit, Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej.
- Advertisement -
Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.
Kurti udhëton për në Slloveni, merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, kështu ka njoftuar zyra e kryeministrit.
“Në kuadër të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, ai sonte do të marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob, ndërkaq të hënën do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë./21Media