Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur nevojën që të finalizohet procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Shteti i Izraelit, i cili do të ndikonte në ndërveprim të shtuar në mes të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve.
Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministrin izraelit të Turizmit, Haim Katz.
Presidentja Osmani po ashtu ka përshëndetur nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Turizmit të Shtetit të Izraelit për bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj Deklarate në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave.
Në takim me ministrin Katz u diskutua edhe për bashkëpunimin me Izraelin në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, njofton Presidenca.
- Advertisement -
Osmani është shprehur e kënaqur me nivelin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, ndërsa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve ndërshtetërore do të rikonfirmohet edhe gjatë vizitës zyrtare të presidentes në Izrael me ftesë të presidentit Herzog.