Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryediplomatin britanik, David Cameron. Pjesë e diskutimit kanë qenë mbështetja britanike ndaj Kosovës si dhe sulmi i 24 shtatorit nga grupet terroriste serbe.
“Në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së Presidencës.
Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë. Ngjashëm, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.
“Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator”, vazhdon komunikata.
- Advertisement -
Ministri i Punëve të Jashtme dje është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, ndërkaq sot edhe me homologen e tij, Donika Gërvalla.
Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016. Në Prishtinë, Sekretari Cameron po shoqërohet nga i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.